pNë platon e Kishës së shën Jozefit në lagjën Marin Dvor në Sarajevë sot me një ceremoni solemne është përuruar shtatorja e të shenjtores Nënë Tereza, raporton Anadolu Agency (AA).

Shtatorja në Sarajevë është vendosur me iniciativë të ish-ambasadorit të Shqipërisë në BeH Flamur Gashi, i cili është edhe donator për ndërtimin e shtatores. Vendosjen e shatores e ka sponsoruar shqiptari Marash Kol Nucullaj, i cili jeton në Detroit, por me origjinë nga Koja e Malësise së Tuzit

Shtatorja e Nënë Terezës është përuruar në njërin nga sheshet kryesore të këtij qyteti, vetëm dy ditë para se Sarajevën ta vizitojë edhe kreu i Kishës katolike Papa Françesku.

Shtatorja është rreth 2 metra e lartë , është e derdhur në bronz dhe peshon rreth 300 kg dhe në bazamentin e saj ka të shkruar “Nënë Tereza” në të tre gjuhët, boshnjakisht, shqip dhe anglisht, si dhe emri i saj origjinal Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Realizimi artistik i shtatores së Nënë Terezës ka qenë vepër e skulptorit shqiptar Pjerin Kolnikaj.

Kryepeshkopi i Sarajevës, Kardinali Vinko Puljiç, tha gjatë ceremonisë së përurimit se statuja e Nënë Terezës në sheshin para Kishës së shën Jozefit ka një domethënie, e kjo është se mirësia asnjëherë nuk është e mjaftueshme.

“Pikërisht kjo dashuri e saj ndaj njeriut është një mesazh i përhershëm që njeriut duhet t’i shtrihet dora e mirësisë. Është mirë që e bëmë këtë para ardhjes së Papës, i cili në mënyrën e vet është njeriu i mirësisë, njeriu me zemër për të varfërit, ata që janë në margjinat e shoqërisë”, ka thënë Puljiç, duke shtuar se mirësia është lidhja në mes Nënë Terezës dhe Papa Françeskut.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në BeH dhe iniciatori i këtij projekti Flamur Gashi, në një deklaratë për AA vitin e kaluar tha se shtatorja e Nënës Tereze do të jetë dhuratë e tij personale qytetit.

“Duke menduar se çfarë do të ishte mesazhi më i mirë, vendosa që kjo të jetë shtatorja e Nënë Terezës. Falë Zotit, shtatorja tetë muaj më pas vjen në qendrët të Sarajevës si mesazh për të gjithë qytetarëve të BeH pa dallim feje dhe kombësie”, tha sot në përurimin solemn në Sarajevë Flamur Gashi.

Ai shtoi se Nënë Tereza ishte modeste, tërë jetën e saj i është përkushtuar mirëqenies së njerëzve, ishte pranë të gjithë njerëzve, pa dallim feje apo kombësije, dhe për këtë arsye, siç theksoi, Nënë Tereza nuk është vetëm nëna e shqiptarëve, ku ajo ishte lindur, por nëna e të gjithë njerëzve në botë.

Kryetari i Bashkisë së Sarajevës, Ivo Komshiç tha se në çdo qytet dhe në çdo vend në botë ka dëshirë të vendoset monumenti i Nënë Terezës, dhe se është nder i madh për Sarajevën që sot e ka këtë shtatore.

Në përurimin e shtatores së Nënë Terezës para Kishës së shën Jozefit në Sarajevë ishin të pranishëm qytetarë të shumtë të Sarajevës, si dhe numri i madh shqiptarësh. Shumë prej tyre e kanë shfrytëzuar këtë çast për t’u fotografuar pranë shtatores.

Monumenti i të Lumes Nënë Tereza në Sarajevë do të jetë i 12-ti në botë. Monumente të ngjashme janë ngritur , ndër të tjera , në New York dhe Detroit në Shtetet e Bashkuara, në Tiranë, Mitrovicë, Prishtinë, Shkup dhe Tuzi ( Mali i Zi) e tjerë.

Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910, kur ai ishte pjesë e Perandorisë Otomane, ndërsa vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, në Indi.

Në vitin 1928 u largua nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Ajo më pas u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës. Në vitin 1979, kur mori Çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare

Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende. Gjatë viteve, Bamiresia e Misionareve të Nënë Terezës u zgjerua nga dymbëdhjetë në mijëra persona që u shërbejnë “me të varfërve nga të varfërit” në 450 qendra në mbarë botën.

Marre nga Gazeta Elektronike Telegraf

http://www.telegrafi.com/lajme/perurohet-ne-sarajeve-shtatorja-e-nene-terezes-4-25585.html